Pavarësia e SHBA/ Berisha tha se DASH i hoqi “non gratën”, por Ambasada Amerikane nuk e fton në ceremoninë festive – VanHorn: Miqësia SHBA-Shqipëri më e fortë se kurrë

Në një atmosferë festive me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasada Amerikane në Tiranë organizoi një pritje zyrtare në Pallatin e Kongreseve, ku morën pjesë përfaqësues të politikës, diplomacisë, medias dhe shoqërisë civile. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte mungesa e kreut të Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nuk rezultoi mes të ftuarve në aktivitet.

Sipas raportimeve, pavarësisht autorizimit të mëparshëm për të udhëtuar drejt SHBA-së, statusi “non grata” i Berishës vijon të mbetet në fuqi, ndërsa në ceremoni morën pjesë figura të tjera të Partisë Demokratike.

E ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se partneriteti shqiptaro-amerikan është më i fortë se kurrë.

Në fjalën e saj, VanHorn kujtoi idealet mbi të cilat u themeluan SHBA-të më 4 Korrik 1776 dhe nënvizoi se ato vazhdojnë të frymëzojnë popujt që kanë luftuar për liri dhe demokraci.

Diplomatja amerikane vlerësoi gjithashtu transformimin e Shqipërisë nga një vend i izoluar nën diktaturë në një aleat të rëndësishëm të Perëndimit dhe anëtar të strukturave euroatlantike.

Një moment i veçantë i ceremonisë iu kushtua kujtimit të Loni Adamit dhe Kol Kuqalit, dy punonjës shqiptarë të Ambasadës Amerikane që humbën jetën gjatë regjimit komunist pasi refuzuan të jepnin dëshmi të rreme kundër SHBA-së. VanHorn i cilësoi ata simbol të qëndresës dhe besimit te liria.

Në përfundim, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në siguri, ekonomi, arsim dhe forcimin e institucioneve demokratike.

“Lidhja jonë është sot më e fortë se kurrë. Faleminderit për partneritetin, mikpritjen shqiptare dhe përkushtimin ndaj vlerave që ndajmë”, deklaroi VanHorn gjatë ceremonisë.