Shpallet fundi i konfliktit me Iranin – Trump: Marrëveshja është firmosur, Ngushtica e Hormuzit rihapet të premten

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve, pasi marrëveshja paraprake mes dy vendeve është firmosur në mënyrë elektronike dhe pritet të zyrtarizohet në një ceremoni të posaçme që do të mbahet të premten në Gjenevë.

Lajmi është konfirmuar nga presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance, të cilët kanë bërë të ditur se dokumenti përfaqëson bazën e një marrëveshjeje më të gjerë që synon t’i japë fund tensioneve dhe konfliktit të gjatë mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Gjatë një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron në kuadër të samitit të G7-ës në Francë, Trump deklaroi se procesi ka përfunduar me sukses.

“Jam shumë i lumtur të them se është nënshkruar. Marrëveshja është plotësisht e firmosur”, u shpreh ai para gazetarëve.

Nga ana e tij, JD Vance sqaroi se dokumenti i firmosur është një memorandum mirëkuptimi prej rreth një faqe e gjysmë, i cili përcakton parimet bazë dhe angazhimet fillestare të palëve për të ecur drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, memorandumi është nënshkruar elektronikisht nga presidenti Donald Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf. Publikimi i plotë i dokumentit mund të bëhet para ceremonisë zyrtare të së premtes, nëse presidenti amerikan vendos ta bëjë publik për opinionin.

Burime nga administrata amerikane kanë zbuluar gjithashtu disa nga elementët kryesorë të marrëveshjes. Një prej zhvillimeve më të rëndësishme lidhet me Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike në botë për transportin e naftës dhe gazit. Sipas planit të dakordësuar, kjo ngushticë pritet të rihapet plotësisht të premten, në të njëjtën ditë kur marrëveshja do të firmoset zyrtarisht në Gjenevë.

Rihapja e Hormuzit konsiderohet një sinjal i fortë për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të cilat prej muajsh janë përballur me pasiguri për shkak të konfliktit.

Ceremonia e së premtes pritet të shënojë një moment historik në përpjekjet diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa vëmendja e komunitetit ndërkombëtar mbetet e përqendruar te zbatimi i angazhimeve që palët kanë marrë në këtë marrëveshje.