“Lajme të rreme” – Trump përgënjeshtron zërat për 300 milionë dollarë Iranit: Nuk po paguajmë asnjë qindarkë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur poshtë raportimet se Uashingtoni planifikon t’i japë Iranit 300 milionë dollarë në kuadër të marrëveshjes së re mes dy vendeve, duke i cilësuar këto pretendime si “lajme të rreme”.

Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump deklaroi se prioriteti i marrëveshjes mbetet ndalimi i përhershëm i programit bërthamor ushtarak të Teheranit dhe jo ofrimi i ndihmave financiare.

“Irani ka rënë dakord të mos zotërojë kurrë armë bërthamore. Historia se SHBA-ja do t’i paguajë Iranit 300 milionë dollarë është lajm i rremë”, shkroi presidenti amerikan, duke fajësuar kundërshtarët demokratë për përhapjen e këtij informacioni.

Edhe administrata amerikane ka intensifikuar përpjekjet për të mohuar pretendimet se i ka ofruar para Teheranit për të siguruar nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit që pritet të formalizohet më 19 qershor.

Në një seri intervistash televizive, nënpresidenti JD Vance theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë premtuar heqje të menjëhershme të sanksioneve dhe as lirimin e fondeve të ngrira iraniane në këmbim të nënshkrimit të dokumentit.

Sipas qëndrimit zyrtar të Uashingtonit, çdo lehtësim i sanksioneve apo akses i Iranit në fondet e bllokuara do të kushtëzohet nga përmbushja e plotë e angazhimeve të marra në negociata.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se vendime të tilla nuk do të merren me nënshkrimin e memorandumit, por vetëm pas përfundimit të periudhës 60-ditore të negociatave. Gjatë kësaj kohe, palët synojnë të arrijnë një marrëveshje përfundimtare që do të vendosë kufizime afatgjata mbi programin bërthamor iranian.