Protesta qytetare në Tiranë ka vijuar edhe mbrëmjen e së enjtes me një marshim të gjatë nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit. Qindra protestues, të nisur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kanë mbërritur deri në zonën e Astirit, duke zgjeruar itinerarin e tubimit dhe duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve përgjatë gjithë rrugës.
Me flamuj kombëtarë në duar dhe me thirrje si “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Revolucion”, protestuesit marshuan përgjatë segmenteve kryesore të Unazës së Madhe, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj klasës politike në tërësi.
Në një moment, pjesëmarrësit ndaluan lëvizjen në një segment të Unazës së Madhe, ku bllokuan për disa minuta qarkullimin e automjeteve. Disa prej tyre u ulën në rrugë dhe dolën para makinave, duke krijuar vështirësi të përkohshme në trafik.
Pas ndalesës simbolike, protesta vijoi në mënyrë paqësore me marshimin përgjatë Unazës së Madhe, ndërsa organizatorët njoftuan se grupi do të rikthehej më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku ishte edhe pika e nisjes së tubimit.
Marshimi i mbrëmjes konsiderohet një nga lëvizjet më të gjata të zhvilluara gjatë ditëve të fundit të protestës, e cila ka kaluar nga kundërshtimi i projektit në Zvërnec në artikulimin e kërkesave më të gjera politike për ndryshim të sistemit dhe largimin e klasës aktuale politike.
Pamjet nga terreni treguan kolona të gjata protestuesish që lëviznin nëpër rrugët e kryeqytetit, ndërsa forcat e policisë monitoruan situatën për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të marshimit.
Pamje nga protesta e sotme:












Galeria fotografike (
1 / 14
)











