Një hetim i gjerë i realizuar nga disa media nordike dhe baltike ka nxjerrë në pah atë që konsiderohet si një nga zgjerimet më të mëdha të infrastrukturës ushtarake ruse pranë kufijve evropianë që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Sipas gjetjeve të publikuara, Rusia po ndërton kazerma të reja, depo municionesh dhe qendra logjistike në disa rajone strategjike pranë kufijve me Finlandën, Norvegjinë dhe shtetet baltike.
Analiza e imazheve satelitore tregon aktivitet intensiv ndërtimor në një sërë bazash ushtarake ruse, duke ngritur shqetësime serioze në vendet e NATO-s për një forcim të ndjeshëm të pranisë ushtarake të Moskës në veri të Evropës.
Një nga zonat ku është konstatuar zgjerimi më i madh është Peçenga, vetëm rreth 10 kilometra larg kufirit me Norvegjinë. Sipas raportit, aty po ndërtohen kapacitete të reja që mund të strehojnë mijëra ushtarë shtesë. Zhvillime të ngjashme janë identifikuar edhe në Petrozavodsk pranë kufirit finlandez, si dhe në Sapernoje, Luga dhe Baltijsk, ku po grumbullohen pajisje ushtarake dhe po zgjerohet infrastruktura ekzistuese.
Po ashtu, një kompleks i ri ushtarak është në ndërtim në Kirillovskoje, rreth 70 kilometra nga kufiri i Finlandës, ndërsa baza në Kandalaksha, pranë Detit të Bardhë, po zgjerohet ndjeshëm.
Sipas gjenerallejtënantit finlandez, Pasi Välimäki, infrastruktura e re mund t’i lejojë Rusisë të rrisë praninë e saj ushtarake pranë kufirit finlandez nga rreth 20 mijë trupa në afro 80 mijë ushtarë.
Vetëm baza e Peçengës, pas përfundimit të zgjerimit, pritet të ketë kapacitet për deri në 17 mijë ushtarë, krahasuar me rreth 7 mijë që mund të strehojë aktualisht.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve të sigurisë, të gjitha objektet e reja dhe ato të zgjeruara mund t’i japin Rusisë mundësinë të vendosë deri në 115 mijë trupa përgjatë kufijve të saj me Evropën Veriore dhe rajonin e Balltikut.
Kreu i Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë Ushtarake të Suedisë, Thomas Nilsson, deklaroi se këto zhvillime nuk duhen parë si lëvizje simbolike apo propagandistike.
Sipas tij, ndërtimi i kapaciteteve të reja ushtarake tregon se Moska po përgatitet për mundësinë e një përballjeje afatgjatë me NATO-n, sapo të përfundojë ose të zbutet konflikti në Ukrainë.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe gjeneralmajori Brian Nissen, i cili tha se për sa kohë Rusia është e angazhuar në luftën në Ukrainë, rreziku i menjëhershëm mbetet i kufizuar. Megjithatë, ai paralajmëroi se situata mund të ndryshojë shpejt në rast të një armëpushimi ose uljeje të intensitetit të luftimeve.
Shqetësime ka shprehur edhe kreu i Forcave të Armatosura të Norvegjisë, Eirik Kristoffersen, i cili theksoi se nëse planet ruse realizohen sipas ritmit aktual, kërcënimi ushtarak ndaj Norvegjisë dhe vendeve të tjera të NATO-s në rajon do të rritet ndjeshëm.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se pjesa më e madhe e forcave që po planifikohen për këto baza do të vendosen aty pas përfundimit të fazës aktive të luftës në Ukrainë. Për këtë arsye, zhvillimet e fundit po monitorohen me vëmendje të lartë nga vendet e Aleancës Atlantike, të cilat i konsiderojnë lëvizjet e Rusisë si një sinjal paralajmërues për balancën e sigurisë në Evropën Veriore.









