Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën e radhës plenare, e cila pritet të shoqërohet me debate politike për shkak të numrit të lartë të interpelancave të kërkuara nga deputetët e opozitës. Në rendin e ditës janë parashikuar gjashtë interpelanca me anëtarë të kabinetit qeveritar, mes tyre edhe një me kryeministrin Edi Rama.
Interpelanca me kreun e qeverisë është kërkuar nga deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ndërsa ministrat do të përballen me pyetje dhe kërkesa për llogari lidhur me çështje të ndryshme të qeverisjes.
Sipas rendit të ditës, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar dhe njoftimet procedurale, për t’u vijuar më pas me interpelancat.
Ndër çështjet kryesore që do të diskutohen janë:
- Interpelanca urgjente me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj;
- Interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari;
- Interpelanca me kryeministrin Edi Rama;
- Interpelanca me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj;
- Dy interpelanca me ministrin e Financave, Petrit Malaj, të kërkuara nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Seanca do të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ku pritet të trajtohen edhe zhvillimet më të fundit politike në vend.









