Tensione në Gjirin Persik/ Sulmohet anije me flamurin e Qipros – Irani sfidon SHBA-të: “Mbajeni fjalën ose do të paguani çmimin”

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa një tjetër incident në Gjirin Persik ka rritur frikën për një krizë të re në rajon. Pas sulmit ndaj një anijeje tregtare me flamurin e Qipros, kryetari i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor i vendit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka lëshuar një mesazh të fortë në adresë të Uashingtonit, duke deklaruar se “epoka e marrëveshjeve të njëanshme ka marrë fund”.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ghalibaf paralajmëroi se Teherani nuk do të pranojë më shkeljen e angazhimeve të arritura me Shtetet e Bashkuara.

“Ne ju paralajmëruam: mbajeni fjalën ose paguani çmimin. Tashmë realiteti po troket në derë”, shkroi ai.

Për të mbështetur deklaratën e tij, kreu i Parlamentit iranian publikoi edhe një pjesë të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Në dokument thuhet se, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, Republika Islamike e Iranit angazhohej të garantonte kalimin e sigurt dhe pa pagesë të anijeve tregtare për një periudhë 60-ditore.

Sipas autoriteteve iraniane, deklarata e Ghalibaf lidhet drejtpërdrejt me detyrimet që, sipas Teheranit, Uashingtoni nuk i ka respektuar, ndërsa sulmi ndaj anijes me flamur qipriot konsiderohet pjesë e përshkallëzimit të situatës në rajon.

Ngjarja vjen në një moment tepër delikat për Lindjen e Mesme, ku tensionet ushtarake dhe diplomatike janë rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, ndërsa shqetësimet për sigurinë e lundrimit në rrugët kryesore detare vijojnë të mbeten të larta.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet amerikane lidhur me deklaratat e Ghalibaf, ndërsa zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë edhe në diskutimet diplomatike për sigurinë detare dhe stabilitetin në Gjirin Persik.