Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, i ka kushtuar episodin e muajit korrik të podcastit të saj Service95 Book Club shkrimtares dhe filozofes shqiptare Lea Ypi, duke sjellë në qendër të vëmendjes historinë, tranzicionin dhe zhvillimet aktuale në Shqipëri.
Lea Ypi, profesoreshë e Teorisë Politike në London School of Economics dhe autore e librit të vlerësuar ndërkombëtarisht Free: Coming of Age at the End of History, ndau me Dua Lipën përvojën e saj të rritjes në Shqipërinë e viteve të fundit të regjimit komunist dhe periudhës së tranzicionit demokratik.
Gjatë bisedës, dy shqiptaret reflektuan mbi konceptin e lirisë, sfidat që shoqëruan ndryshimet politike në vend dhe kontradiktat që, sipas tyre, vazhdojnë të shoqërojnë shoqërinë shqiptare edhe sot. Episodi u përqendrua te kujtimet e përshkruara në librin Free, por diskutimi u zgjerua edhe mbi realitetin aktual të Shqipërisë.
Dua Lipa theksoi se historia e vendit nuk mund të shkëputet nga zhvillimet e ditëve të sotme. Artistja ngriti shqetësimin për ndryshimet ligjore që, sipas saj, mund të krijojnë mundësinë për heqjen e statusit të mbrojtjes së zonave natyrore pa konsultime publike, duke nënvizuar rëndësinë e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje.
Në podcast u diskutua gjithashtu edhe për protestat politike që po zhvillohen në Shqipëri. Dua Lipa dhe Lea Ypi ndanë pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë e angazhimit qytetar, duke vlerësuar pjesëmarrjen aktive të njerëzve në çështje që lidhen me interesin publik dhe zhvillimin demokratik të vendit.
Episodi i ri i Service95 Book Club sjell kështu një diskutim të gjerë mbi identitetin shqiptar, historinë, sfidat e demokracisë dhe të ardhmen e vendit, përmes këndvështrimeve të dy figurave shqiptare me ndikim në arenën ndërkombëtare.









