Irani sulmon me raketa dhe dronë Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin – Aktivizohen mbrojtja ajrore dhe sirenat e emergjencës

Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm pas një vale sulmesh me raketa dhe dronë të lëshuara nga Irani drejt Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, duke vënë në alarm të gjithë rajonin.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan menjëherë për të interceptuar raketat dhe dronët iranianë, ndërsa autoritetet thanë se situata po monitorohet në kohë reale.

Momente tensioni u regjistruan edhe në kryeqytetin e Katarit, Doha, ku u dëgjuan shpërthime të forta. Sipas raportimeve nga terreni, në qiell ishin të dukshme raketat që po neutralizoheshin nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Autoritetet e Katarit aktivizuan menjëherë protokollet e emergjencës, duke u dërguar mesazhe paralajmëruese në telefonat celularë të qytetarëve. Në njoftim u kërkohej banorëve të qëndronin brenda banesave dhe të shmangnin çdo lëvizje deri në një urdhër të dytë.

Gjendje alarmi u shpall edhe në Bahrein, ku sirenat e emergjencës u aktivizuan në disa zona. Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve të ruanin qetësinë dhe të strehoheshin në vende të sigurta deri në normalizimin e situatës.

Sulmet ndodhin në një moment kur tensionet mes Iranit dhe vendeve të rajonit, si edhe me aleatët perëndimorë, mbeten në nivele të larta. Autoritetet e vendeve të Gjirit vijojnë të monitorojnë zhvillimet dhe të marrin masa shtesë për garantimin e sigurisë së popullsisë, ndërsa priten reagime të mëtejshme diplomatike dhe ushtarake lidhur me këtë përshkallëzim të ri.