Një tjetër futbollist shqiptar ka hedhur një hap të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Mesfushori nga Kosova, Lisian Thaçi, është bërë pjesë e Bayern Munich, duke iu bashkuar programit prestigjioz FC Bayern Global Academy, i dedikuar zhvillimit të talenteve më premtuese nga e gjithë bota.
Talenti pejan siguroi këtë mundësi pas paraqitjeve të shkëlqyera në projektin “Bayern World Squad 2025”, ku arriti të bindë skautët dhe drejtuesit e klubit bavarez me cilësitë e tij teknike, inteligjencën në lojë dhe potencialin për t’u zhvilluar në nivelet më të larta të futbollit.
Lisian Thaçi është formuar te Shkolla e Futbollit Peja, ku hodhi hapat e parë në karrierën e tij sportive. Performancat e tij të vazhdueshme i hapën dyert drejt një prej klubeve më të mëdha dhe më të suksesshme në futbollin botëror.
Përfshirja në FC Bayern Global Academy i jep futbollistit shqiptar mundësinë të stërvitet sipas metodologjisë së Bayern Munich, të punojë me trajnerë të nivelit të lartë dhe të zhvillohet në një mjedis profesional, me synimin për të ndërtuar një karrierë në elitën e futbollit evropian.
Ky është një tjetër sukses për futbollin shqiptar, pasi gjithnjë e më shumë talente nga Kosova dhe Shqipëria po tërheqin vëmendjen e klubeve më të njohura të kontinentit dhe po krijojnë mundësi për t’u afirmuar në skenën ndërkombëtare.









