Gara për “Këpucën e Artë” të Kupës së Botës 2026 ka hyrë në fazën më vendimtare, me Lionel Messin dhe Kylian Mbappen që vijojnë të jenë në krye të renditjes së golashënuesve. Të dy yjet e futbollit botëror kanë realizuar nga tetë gola, ndërsa fituesi i çmimit mund të përcaktohet vetëm pas ndeshjeve të fundit të turneut.
Kapiteni i Argjentinës gëzon një avantazh të rëndësishëm ndaj sulmuesit francez. Përveç tetë golave, Messi ka dhuruar edhe katër asistime, një më shumë se Mbappe, i cili numëron tre pasime për gol. Ky detaj mund të rezultojë vendimtar nëse të dy e mbyllin turneun me të njëjtin numër realizimesh.
Argjentina do të zbresë në fushë në finalen e madhe ndaj Spanjës, çka i jep Messit edhe një mundësi për të shtuar golat ose asistimet dhe për të siguruar trofeun individual. Ndërkohë, Mbappe do të luajë me Francën vetëm në ndeshjen për vendin e tretë ndaj Anglisë, ku gjithashtu do të tentojë të përmirësojë statistikat e tij.
Pas dy favoritëve kryesorë renditet Erling Haaland me shtatë gola, por sulmuesi norvegjez nuk ka më mundësi të shtojë bilancin e tij, pasi Norvegjia është eliminuar nga turneu.
Në ndjekje janë edhe dy futbollistët anglezë, Harry Kane dhe Jude Bellingham, të cilët kanë shënuar nga gjashtë gola secili. Bellingham u ngjit në këtë kuotë falë dygolëshit të realizuar në fazën me eliminim direkt, duke mbetur ende në garë për një vend në podiumin e golashënuesve.
Me nga pesë gola renditen Ousmane Dembele i Francës dhe Mikel Oyarzabal i Spanjës, ndërsa me nga katër gola janë Vinicius Junior i Brazilit, Ismaila Sarr i Senegalit dhe Julian Quinones i Meksikës.
Në listën e futbollistëve me nga tre gola bëjnë pjesë emra të njohur si Lautaro Martinez i Argjentinës, Cristiano Ronaldo i Portugalisë, Romelu Lukaku i Belgjikës, Cody Gakpo i Holandës dhe Kai Havertz i Gjermanisë.
Si përcaktohet fituesi i “Këpucës së Artë”?
Sipas rregullores së FIFA-s, çmimi i jepet futbollistit që shënon më shumë gola gjatë fazës finale të Kupës së Botës.
Në rast se dy ose më shumë lojtarë e mbyllin turneun me të njëjtin numër golash, renditja përcaktohet sipas këtyre kritereve:
- numrit të asistimeve;
- nëse edhe asistimet janë të barabarta, fitues shpallet futbollisti që ka zhvilluar më pak minuta në turne.
Për momentin, Lionel Messi kryeson garën falë avantazhit në asistime, por gjithçka mbetet e hapur. Finalja mes Argjentinës dhe Spanjës, si edhe sfida për vendin e tretë mes Francës dhe Anglisë, pritet të vendosin jo vetëm fituesit e medaljeve, por edhe pronarin e “Këpucës së Artë” të Botërorit 2026.









