Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati me armë zjarri ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i njohur edhe me emrin Sandri Rubati, i cili u plagos mbrëmjen e së premtes në Sarandë. Hetimet paraprake tregojnë se sulmi ka qenë i organizuar me kujdes, ndërsa autorët dyshohet se kanë planifikuar edhe rrugën e largimit menjëherë pas atentatit.
Sipas burimeve hetimore, autorët kanë qenë të maskuar dhe me skafandra mbrojtëse. Ata kanë lëvizur me një motoçikletë në rrugën “Mit’hat Hoxha”, në drejtim të Portit të Sarandës, ku kanë lokalizuar objektivin e tyre.
Në momentin e sulmit, ndaj Rubatit janë qëlluar nëntë plumba me një pistoletë të kalibrit 9 milimetra. Pas të shtënave, autorët janë larguar me shpejtësi në të njëjtin itinerar nga kishin ardhur, duke shmangur çdo përballje me kalimtarë apo forcat e rendit.
Hetuesit dyshojnë se më pas ata janë drejtuar drejt zonës së plazheve, pranë vendit të njohur si “Baba Rexhepi”, ku besohet se janë larguar me një skaf. Dyshimet janë se kjo mënyrë arratisjeje është përdorur për të humbur gjurmët dhe për t’iu shmangur kontrolleve në rrugë.
Motoçikleta e përdorur gjatë atentatit nuk është gjetur ende. Sipas grupit hetimor, autorët dyshohet se e kanë marrë me vete ose e kanë fshehur për të eliminuar provat që mund të ndihmonin në identifikimin e tyre.
Pavarësisht plagëve të marra, 50-vjeçari ka qenë i vetëdijshëm pas sulmit dhe është marrë në pyetje nga hetuesit. Ai ka deklaruar se nuk ka mundur të identifikojë autorët, pasi nuk i ka njohur personat që e sulmuan.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka zhvilluar kontrolle intensive gjatë gjithë natës në Sarandë dhe zonat përreth. Në operacion janë përfshirë shërbime të shumta policore, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve të atentatit.
Thimjo Rubati nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare.
Sipas të dhënave, në vitin 2022 u bë e ditur se ai ishte dënuar në vitin 2002 për trafikim të të miturve dhe përdhunim.
Po ashtu, Rubati rezulton i skeduar nga autoritetet edhe për armëmbajtje pa leje, kontrabandë dhe trafikim të mjeteve motorike.









