SAMITI I NATO-s/ Rama niset drejt Turqisë – Priten takime me liderët aleatë

Kryeministri Edi Rama është nisur këtë të martë drejt Ankarasë, ku do të marrë pjesë në Samitin dyditor të NATO-s, një takim i rëndësishëm për sigurinë dhe mbrojtjen e aleancës euroatlantike.

Sipas mediave turke, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet të zhvillojë takime dypalëshe me liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, mes të cilëve edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Pjesëmarrja e kreut të qeverisë shqiptare në këtë samit vjen në kuadër të angazhimit të Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe sfidave rajonale.

Gjatë punimeve të samitit, Erdogan pritet të zhvillojë takime me disa prej liderëve më të rëndësishëm të aleancës, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, si dhe drejtues të tjerë europianë.

Në fokus të diskutimeve pritet të jenë forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të NATO-s, rritja e kontributeve të vendeve anëtare, situata e sigurisë në rajone të ndryshme të botës dhe koordinimi mes aleatëve.

Një nga takimet më të rëndësishme të agjendës pritet të jetë ai mes presidentit turk Erdogan dhe homologut amerikan Donald Trump, pas të cilit është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.