Brazili konfirmon besimin te Ançeloti – Tekniku italian vazhdon në krye të “Seleçaos” deri në vitin 2030

Pavarësisht eliminimit zhgënjyes nga Kupa e Botës në fazën e 1/8-ave, Federata Braziliane e Futbollit ka vendosur të vijojë bashkëpunimin me Karlo Ançelotin, duke i rikonfirmuar besimin teknikut italian për ciklin e ardhshëm.

Lajmi u bë publik nga drejtori i përfaqësueses braziliane, Rodrigo Caetano, i cili konfirmoi se Ançeloti do të mbetet në pankinën e Brazilit, pasi kontrata e tij është zgjatur deri në vitin 2030.

Sipas Caetanos, vazhdimësia e projektit me trajnerin italian konsiderohet si garancia më e mirë për rindërtimin e skuadrës dhe përgatitjen e saj për sfidat e ardhshme.

“Fakti që Ançeloti do të vazhdojë me ne na jep besim për ciklin e ri. Kemi kohën e nevojshme për të korrigjuar gabimet, për të ndërtuar një ekip më të fortë dhe për t’u rikthyer me pretendime në Kupën e Botës 2030”, u shpreh ai.

Ançeloti mori drejtimin e Brazilit në fund të muajit maj 2025 dhe pati vetëm një vit në dispozicion për të ndërtuar një skuadër konkurruese për Botërorin. Megjithëse “Seleçao” synonte fitimin e trofeut të gjashtë në histori, rrugëtimi u ndërpre pas humbjes surprizë ndaj Norvegjisë në fazën me eliminim direkt.

Megjithatë, drejtuesit e futbollit brazilian kanë zgjedhur të mos ndryshojnë kurs, duke i besuar vazhdimësinë projektit të trajnerit italian. Me kontratën e re, Ançeloti do të ketë edhe katër vite kohë për të rindërtuar skuadrën dhe për ta përgatitur atë për Kupën e Botës 2030, me objektivin për ta rikthyer Brazilin në majën e futbollit botëror.