Belgjika triumfon ndaj SHBA – Lukaku bëhet viral me festimin alla Trump, pas kualifikimit: “Shfuqizoje këtë!”

Belgjika siguroi me autoritet një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës, pasi mposhti Shtetet e Bashkuara me rezultatin e thellë 4-1, në një ndeshje që u shoqërua jo vetëm me spektakël në fushë, por edhe me polemika jashtë saj.

Protagonisti i sfidës ishte Charles De Ketelaere, i cili realizoi dy gola në minutat e 9-të dhe të 33-të, ndërsa kontribuoi edhe me një asist për Hans Vanaken, që shënoi golin e tretë në minutën e 57-të. Fitoren e vulosi Romelu Lukaku, i cili hyri nga stoli dhe realizoi golin e katërt në minutat shtesë të takimit.

Për amerikanët, goli i vetëm u shënua nga Malik Tillman në minutën e 31-të me goditje dënimi, por nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin. Me këtë sukses, Belgjika siguroi përballjen me Spanjën në çerekfinale.

Megjithatë, vëmendjen më të madhe pas ndeshjes e mori festimi i Romelu Lukakut. Pas golit të tij, sulmuesi belg dhe shokët e skuadrës imituan lëvizjet karakteristike të vallëzimit të Presidentit amerikan Donald Trump, një gjest që u interpretua gjerësisht si një ironi ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Reagimi lidhet me polemikat e ditëve të fundit, pasi FIFA vendosi të shfuqizojë pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës. Vendimi i lejoi Balogunit të luante kundër Belgjikës, duke shkaktuar debat të fortë në opinionin sportiv dhe akuza për ndikim politik në vendimmarrjen e FIFA-s.

Festimi i Lukakut u bë menjëherë viral në rrjetet sociale, ndërsa Federata Belge e Futbollit publikoi një fotografi të sulmuesit në platformën “X”, të shoqëruar me mbishkrimin: “Shfuqizoje këtë.”

Edhe media të njohura ndërkombëtare, si Daily Mail dhe The Guardian, e interpretuan gjestin e belgëve si një thumbim të drejtpërdrejtë ndaj Donald Trump dhe debatit që shoqëroi vendimin për aktivizimin e Balogunit.