Gjykata e Tiranës po shqyrton kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta, i cili kundërshton vendimin e Prokurorisë për mosfillimin e hetimeve lidhur me kallëzimin e bërë ndaj punonjësve të Institucionit të Paraburgimit 313.
Meta i është drejtuar gjykatës me kërkesën për të detyruar organin e akuzës të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet ndaj zyrtarëve të paraburgimit. Ai pretendon se gjatë qëndrimit në qeli i janë shkelur të drejtat themelore për komunikim dhe ka ngritur akuza për shpërdorim detyre dhe trajtim të papërshtatshëm nga ana e punonjësve të institucionit.
Prokuroria e Tiranës kishte vendosur të mos fillojë hetimet, duke argumentuar se kallëzimi nuk përmban elementë që përbëjnë vepër penale.
Duke kundërshtuar këtë vendim, Meta ka kërkuar ndërhyrjen e gjykatës për të detyruar prokurorinë të vijojë me hetimet dhe të shqyrtojë pretendimet e ngritura prej tij.
Seanca po zhvillohet në dhomë këshillimi dhe çështja është në shqyrtim nga gjyqtarja Vjollca Spahiu, e cila pritet të vendosë mbi kërkesën e ish-presidentit.
Dosja Meta:
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe ish-deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK









