Dosja e kryebashkiakut të Kolonjës në GJKKO – SPAK kërkon kalimin e çështjes për gjykim ndaj të pandehurit Erion Isai dhe 14 zyrtarëve

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur seancën paraprake për kryetarin e Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, dhe 14 zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Kolonjë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Në këtë fazë të procesit, GJKKO do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për kalimin e çështjes në gjykim. Të pandehurit akuzohen për veprat penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Hetimi i SPAK lidhet me tre procedura prokurimi të zhvilluara gjatë vitit 2020, me një vlerë totale që tejkalon 30 milionë euro. Sipas organit të akuzës, gjatë këtyre procedurave janë evidentuar dyshime për shkelje të dispozitave ligjore në fazat e prokurimit, zhvillimit të tenderave dhe administrimit të fondeve publike.

Në listën e të pandehurve përfshihen kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, ish-zëvendëskryetarja e Bashkisë Kolonjë, Eljona Mydini, ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, ish-drejtori në ARRSH, Erald Elezi, si dhe punonjës të tjerë të institucioneve vendore dhe qendrore.

Mes të pandehurve janë edhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Kolonjë dhe specialistë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët dyshohen për përfshirje në procedurat e hetuara nga SPAK.

Vendimi i GJKKO në këtë fazë do të përcaktojë nëse dosja do të kalojë për shqyrtim në proces gjyqësor apo do të ketë një tjetër vlerësim procedural.

Lista  e të pandehurve:

Erion Isai – Kryetar i Bashkisë KolonjëEljona Mydini – Ish-zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë
Ergys Verdho – Ish-kreu i ARRSH-së
Erald Elezi – Ish-drejtor në ARRSH
Erjon Cenko, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, Armand Tafil, Muharrem Tartari, Shpëtim Liço – Punonjës të Bashkisë Kolonjë
Genti Raça – Përgjegjës preventivi në ARRSH
Donikë Shehu – Ish-specialiste në ARRSH
Klarita Konomi – Ish-specialiste në ARRSH
Nikollaq Mihali – Specialist në ARRSH
Erdit Salillari – Përgjegjës sektori në ARRSH/