Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se qeveria shqiptare ka refuzuar organizimin e një koncerti të këngëtares amerikane Jennifer Lopez në Shqipëri, për shkak të kushteve financiare të vendosura nga artistja.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Gonxhja bëri të ditur se Jennifer Lopez kishte kërkuar një garanci financiare prej 2 milionë eurosh në rast se koncerti do të ndikohej nga zhvillimi i protestave në vend.
Sipas ministrit, kjo kërkesë nuk u pranua nga qeveria, duke bërë që negociatat për organizimin e koncertit të mos vijonin më tej.
“Kemi refuzuar Jennifer Lopez, sepse kërkoi 2 milionë euro garanci nëse do të kishte protesta. Këtë kusht nuk e pranuam”, u shpreh Gonxhja.
Në të njëjtën mbledhje, ministri mbrojti edhe financimin prej 4.2 milionë eurosh për koncertin e reperit Kanye West, duke deklaruar se eventi ka gjeneruar të paktën 6.5 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare, sipas të dhënave të prezantuara prej tij.









