Pas koncertit spektakolar në Tiranë – Reagon Kanye West: Faleminderit Edi Rama dhe Shqipërisë për mikpritjen

Reperi i njohur amerikan Kanye West ka reaguar për herë të parë pas koncertit të zhvilluar në “Eagle Stadium” në Tiranë, një event që tërhoqi mijëra spektatorë dhe ngjalli debat të gjerë brenda dhe jashtë vendit.

Përmes një postimi në platformën “X”, artisti shprehu mirënjohjen për mikpritjen që iu rezervua në Shqipëri, duke falënderuar kryeministrin Edi Rama dhe qytetarët shqiptarë.

“Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë që ndërtuat një stadium dhe më mirëpritët në vendin tuaj të bukur”, shkroi Kanye West në mesazhin e tij.

Koncerti i artistit amerikan, i zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, ishte një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, duke tërhequr mijëra fansa nga vendi dhe jashtë tij.

Megjithatë, organizimi i aktivitetit u shoqërua edhe me polemika politike dhe publike, për shkak të financimit të tij nga fondet shtetërore dhe debatit mbi ndikimin ekonomik dhe turistik që pritet të ketë për vendin.

Pavarësisht diskutimeve, reagimi i Kanye West u interpretua si një vlerësim për organizimin e koncertit dhe mikpritjen shqiptare, duke e vendosur edhe një herë Shqipërinë në vëmendjen e mediave dhe publikut ndërkombëtar.