Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen pas vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei. Djali i tij, Mojtaba Khamenei, ka deklaruar se hakmarrja për vdekjen e të atit është një detyrim kombëtar, duke theksuar se autorët dhe përgjegjësit e këtij akti do të përballen me pasojat.
Deklaratat u bënë gjatë ceremonive mortore që u zhvilluan për disa ditë në Teheran, ndërsa klima politike në Iran mbetet tepër e tensionuar.
Në këtë sfond, gazeta iraniane Hamshahri, e cila është e lidhur me Bashkinë e Teheranit, publikoi atë që e cilësoi si një “listë të zezë” të personave që konsiderohen përgjegjës për vrasjen e Ali Khameneit. Në listë përfshihen Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe disa liderë të vendeve evropiane.
Mes emrave të publikuar janë edhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.
Publikimi i kësaj liste ka shkaktuar reagime të menjëhershme në Itali. Autoritetet në Romë kanë nisur verifikimet për të përcaktuar nëse lista pasqyron një qëndrim zyrtar të autoriteteve iraniane apo përfaqëson vetëm një publikim mediatik. Sipas raportimeve, nuk përjashtohet mundësia që ambasadori iranian në Itali të thirret për sqarime.
Për situatën reagoi edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili shprehu mbështetje të plotë për Kryeministren Giorgia Meloni, duke theksuar se Italia nuk do të intimidohet nga kërcënimet.
“Ajo nuk do të lejojë të intimidohet. Në Iran po zhvillohet një luftë për pushtet që e bën situatën edhe më të ndërlikuar dhe rrit nivelin e përplasjes”, deklaroi Tajani.
Shefi i diplomacisë italiane bëri të ditur gjithashtu se do të marrë pjesë në një samit evropian në Paris, ku pritet të shpallet krijimi i një Koalicioni Evropian kundër raketave balistike. Sipas tij, iniciativa synon forcimin e bashkëpunimit industrial dhe teknologjik në fushën e mbrojtjes, duke u mbështetur edhe në përvojën e krijuar gjatë luftës në Ukrainë.
Tajani nënvizoi se një nga çështjet më delikate në negociatat ndërkombëtare mbetet situata në Ngushticën e Hormuzit, e konsideruar si një nga korridoret më strategjike për transportin global të naftës dhe gazit, ku çdo përshkallëzim i tensioneve mund të ketë pasoja të gjera për sigurinë dhe ekonominë ndërkombëtare.









