Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë të përshkallëzohen, këtë herë me në qendër Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret detare më strategjike për tregtinë globale të energjisë. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të autoriteteve iraniane, duke theksuar se kjo rrugë ujore ndërkombëtare nuk është nën kontrollin e Teheranit dhe se lundrimi në të do të mbetet i lirë.
Në deklaratën zyrtare, CENTCOM nënvizon se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjitha anijet që respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe se asnjë shtet nuk mund të vendosë kufizime të njëanshme mbi qarkullimin detar në këtë zonë.
“Forcat amerikane janë të vendosura dhe plotësisht të gatshme për të garantuar lirinë e lundrimit, pavarësisht agresionit, ngacmimeve, kërcënimeve dhe deklaratave arbitrare e të pajustifikuara të Iranit”, thuhet në reagimin e Komandës Qendrore të SHBA-së.
Deklarata amerikane vjen pas retorikës së ashpër të zyrtarëve iranianë dhe në një klimë tensioni të shtuar në Gjirin Persik, ku incidentet mes forcave ushtarake dhe anijeve tregtare kanë rritur shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga arteriet më të rëndësishme të transportit detar në botë. Përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës dhe gazit natyror, çka e bën çdo kërcënim ndaj lirisë së lundrimit një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike dhe ekonominë ndërkombëtare.
Autoritetet amerikane kanë bërë të qartë se do të vijojnë operacionet për garantimin e sigurisë detare në rajon, duke bashkëpunuar me aleatët për të mbrojtur qarkullimin e lirë të anijeve tregtare dhe për të shmangur çdo përpjekje për destabilizimin e kësaj rruge strategjike.
Përplasja e fundit verbale mes Uashingtonit dhe Teheranit pritet të shtojë edhe më tej tensionet në Lindjen e Mesme, në një moment kur rajoni po përballet me një sërë krizash të sigurisë dhe me rrezikun e zgjerimit të konfliktit.









