Byroja Kombëtare e Hetimit ka vënë në pranga Adi Çobën, i njohur me nofkën “Bazholi”, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Ura”.
Sipas informacioneve, arrestimi është kryer nga strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pa pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit. Operacioni u realizua nga njësitë hetimore të posaçme, në zbatim të bashkëpunimit me autoritetet italiane.

Adi Çoba konsiderohet një nga personat e kërkuar në kuadër të dosjes “Ura”, një hetim i zhvilluar nga drejtësia italiane që lidhet me aktivitet të dyshuar kriminal ndërkombëtar.
Arrestimi i tij vjen në të njëjtën ditë kur drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, bëri të ditur në Komisionin parlamentar se po shqyrtohet ngritja e një strukture të specializuar për kapjen e personave në kërkim.
Sipas Brahos, kjo njësi do të funksionojë brenda SPAK-ut dhe do të ketë si mision lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim, pasi në disa raste Policia e Shtetit nuk ka arritur të realizojë ndalimin e tyre.
Arrestimi i Adi Çobës shihet si një tjetër operacion i rëndësishëm i Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa pritet që procedurat për vijimin e çështjes dhe kërkesa për ekstradim të ndiqen sipas marrëveshjeve mes autoriteteve shqiptare dhe italiane.









