Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të forcës politike që drejton të mbështesin protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë, duke theksuar se ajo përfaqëson një lëvizje të rëndësishme kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha e cilësoi organin e ri drejtues si më cilësorin në historinë e kësaj force politike, duke shprehur bindjen se ai do të udhëheqë opozitën drejt rikthimit në pushtet.
Sipas tij, misioni kryesor i Partisë Demokratike mbetet rikthimi i votës së lirë dhe garantimi i rotacionit politik në vend.
“Kam besim të plotë te anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike. Do të ecim të vendosur drejt misionit tonë për rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve dhe kthimin e opozitës në pushtet”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës u ndal edhe te protesta qytetare që po zhvillohet prej disa javësh në kryeqytet, të cilën e cilësoi si një lëvizje me karakter liberator, e lindur nga brezi i ri.
Ai tha se Partia Demokratike e ka mirëpritur këtë organizim qytetar dhe do të vazhdojë ta mbështesë në çdo formë, pavarësisht sloganeve apo kritikave që drejtohen edhe ndaj opozitës.
Berisha u kërkoi demokratëve të mos ndikohen nga thirrjet si “Berisha në burg” apo akuzat se opozita është e shitur, por të qëndrojnë pranë protestuesve dhe t’i mbështesin ata në terren dhe në rrjetet sociale.
“Pavarësisht se çfarë thonë për ne, ne do ta mbështesim fuqimisht këtë lëvizje. Përshëndes qindra e mijëra demokratë që kanë lënë çdo angazhim për t’u bashkuar me protestën si qytetarë të lirë. Është e domosdoshme që kjo lëvizje të ketë mbështetje masive, edhe në rrjetet sociale, pasi organizatorët janë kryesisht të rinj dhe përfaqësojnë brezin dixhital”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Berisha vlerësoi gjithashtu protestat që Partia Demokratike organizoi nga dhjetori i vitit të kaluar deri më 8 maj, duke pretenduar se ato dobësuan ndjeshëm qeverinë.
Sipas tij, ato protesta dëshmuan ekzistencën e një Shqipërie që nuk pajtohet me korrupsionin, keqqeverisjen dhe, sipas tij, me atë që e quajti “narkoshtet”.
Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike ritheksoi se opozita do të vazhdojë të mbështesë çdo lëvizje qytetare që, sipas tij, synon ndryshimin politik në vend dhe largimin e qeverisë aktuale.









