Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e zgjedhjes së strukturave të saj drejtuese, duke shpallur në orët e para të mëngjesit përbërjen e re të Kryesisë dhe drejtuesen e re të Këshillit Kombëtar. Procesi i numërimit u mbyll rreth orës 04:00, ndërsa rezultatet u bënë publike nga Komisioni i Zgjedhjeve, i drejtuar nga Gazment Bardhi.
Rezultatet sollën një rikonfigurim të ndjeshëm të drejtimit të Partisë Demokratike. Më e votuara në garën për Kryesi rezultoi Ilda Zhulali, e cila siguroi 211 vota, duke kryesuar listën e anëtarëve të rinj të organit më të lartë drejtues të partisë.
Në garën për drejtimin e Këshillit Kombëtar fitoi aktivistja Julia Emiri, e cila mori besimin e shumicës së delegatëve me 207 vota. Ajo mposhti kandidaten Silva Hasaj, e cila siguroi 83 vota, dhe do të pasojë në këtë detyrë Edi Palokën, i cili e mbante këtë post prej disa vitesh.
Ndërkohë, në kategorinë e kandidatëve meshkuj, më i votuari ishte Grigels Muçollari me 170 vota, i ndjekur nga Ervin Minarolli me 167 vota, Fisnik Qosja me 158, Gjin Gjoni me 150, Dorian Teliti me 132, Atird Hoxha me 124, Ilir Alimehmeti me 122 dhe Keltis Kruja me 115 vota.
Në listën e grave që siguruan një vend në Kryesi, pas Ilda Zhulalit renditen Eda Grimçi me 177 vota, Edith Harxhi me 151, Mimoza Hajdarmataj me 132, Lili Sulaj me 124 dhe Floriana Garo me 114 vota.
Edhe përfaqësuesit e rinisë arritën të sigurojnë vende në strukturat drejtuese të partisë. Andia Ulliri ishte më e votuara me 159 vota, e ndjekur nga Glauk Olldashi me 119, Nikola Kedhi me 88, Fatjon Bathorja me 86, Loreanca Hoxha me 83 dhe Erges Eskiu me 71 vota.
Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së PD-së janë:
Femra: Eda Grimci, Edith Harxhi, Florjana Garo, Ilda Zhulali, Lili Sula, Mimoza Hajdarmataj.
Të rinj: Andia Ulliri, Desada Xhetani, Fatjon Bathorja, Glauk Olldashi, Lorenca Hoxha, Nikola Kedhi.
Burra: Atird Hoxha, Dorjan Teliti, Ervin Minarolli, Fisnik Qosja, Gjin Gjoni, Grigels Muçollari, Ilir Alimehmeti dhe Keltis Kruja.
Zgjedhjet sollën gjithashtu largimin nga Kryesia të një numri figurash të njohura të Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, vendosi të mos rikandidojë më shumë se gjysmën e anëtarëve të Kryesisë së mëparshme, duke i hapur rrugë një përbërjeje të re.
Mes emrave që mbeten jashtë strukturës drejtuese janë ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, deputetët Bardh Spahia, Eno Bozdo dhe Ina Zhupa, si edhe disa figura të tjera që kishin qenë pjesë e lëvizjes së Foltores dhe Rithemelimit.
Jashtë listës së fituesve mbetën edhe emra të njohur si Edi Paloka, Arjan Ndoja, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Fidel Kreka, Alfred Lela dhe Asllan Dogjani, të cilët nuk arritën të siguronin votat e nevojshme për një mandat të ri në Kryesinë e Partisë Demokratike.
Rezultati i zgjedhjeve sinjalizon një fazë të re organizative në Partinë Demokratike, me një kombinim figurash të reja dhe emrash të konsoliduar, ndërsa drejtimi i ri synon të përgatisë forcën politike për sfidat e ardhshme elektorale.
Anëtarët e kryesisë që mbetën jashtë:
Aldo Bumçi
Bardh Spahia
Eno Bozdo
Fatbardha Kadiu
Florion Mima
Ina Zhupa
Jozefina Topalli
Sorina Koti
Procesi i riorganizimit të Partisë Demokratike pritet të vijojë me zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve, sekretariatit, departamenteve dhe përfaqësuesve të diasporës në organet drejtuese të partisë.









