Deputetët e Partisë Demokratike do të vijojnë të mos marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit deri sa në rendin e ditës të përfshihen projektligjet e propozuara nga opozita, të cilat, sipas saj, pasqyrojnë kërkesat e protestuesve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sqaroi se opozita nuk e ka bojkotuar Parlamentin, por ka vendosur të mos marrë pjesë vetëm në seancat plenare, ndërsa deputetët vijojnë aktivitetin në komisionet parlamentare.
Sipas Berishës, arsyeja e këtij vendimi është refuzimi i mazhorancës për të futur në rend dite amendamentet dhe projektligjet e depozituara nga deputetët demokratë, të cilat lidhen me kërkesat e protestës qytetare.
“Ne nuk kemi bojkotuar Parlamentin. Kemi shpallur mospjesëmarrje në seancat parlamentare dhe jo në komisione, derisa Edi Rama të mos bllokojë paraqitjen në Parlament të amendamenteve që kanë dorëzuar deputetët tanë për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë përfaqësuesit e protestës”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi mosshqyrtimin e këtyre nismave si një shkelje të të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës dhe një mungesë respekti ndaj protestuesve.
Berisha kërkoi që Kryesia e Kuvendit t’i përfshijë projektligjet në rendin e ditës, duke theksuar se diskutimi i tyre është detyrimi minimal që Parlamenti ka ndaj qytetarëve dhe opozitës.









