Kanye West “pushton” Tiranën/ Koncerti rekord kalon finalen e Conference League – Mijëra të huaj vërshojnë drejt Shqipërisë

Koncerti i shumëpritur i reperit amerikan Kanye West pritet të shënojë një rekord të ri për Shqipërinë, duke tërhequr një interes të jashtëzakonshëm nga publiku ndërkombëtar. Sipas kryeministrit Edi Rama, numri i biletave të blera nga shtetas të huaj për këtë spektakël ka tejkaluar edhe atë të finales së UEFA Conference League, e zhvilluar në Tiranë në vitin 2022.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga stadiumi i ndërtuar posaçërisht për koncertin, duke theksuar se përgatitjet kanë hyrë në fazën përfundimtare.

“Mirëmëngjes, dhe me stadiumin e ngritur enkas për koncertin më të madh që ky vend ka parë ndonjëherë, për të cilin janë blerë nga të huajt më shumë bileta sesa për finalen e Conference League në Tiranë, e i cili do ta kthejë Tiranën të shtunën, më 11 korrik, në kryeqytetin botëror të spektaklit muzikor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.

Koncerti do të zhvillohet në Eagle Stadium, pranë autostradës Tiranë–Durrës, një arenë e ngritur posaçërisht për këtë aktivitet madhor, me kapacitet rreth 60 mijë spektatorë. Organizatorët e konsiderojnë atë si eventin më të madh muzikor të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri.

Interesi për spektaklin ka qenë i lartë si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Çmimet e biletave variojnë nga 120 euro për kategorinë standarde deri në 339 euro për paketat VIP.

Koncerti në Tiranë është pjesë e turit botëror të Kanye West për vitin 2026, një turne që ka ngjallur debat dhe polemika në disa vende, por që njëkohësisht ka tërhequr një numër të madh fansash. Vetëm një muaj më parë, artisti performoi në Stadiumin Olimpik “Atatürk” në Stamboll, ku organizatorët raportuan pjesëmarrjen e rreth 118 mijë spektatorëve, ndërsa vetë West deklaroi se kishte vendosur një rekord të ri për numrin e pjesëmarrësve në një koncert stadiumi.

Organizimin e koncertit në Tiranë e ka marrë përsipër kompania gjermane “Streetlife”, me seli në Berlin, e njohur për organizimin e eventeve të artistëve ndërkombëtarë si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj. Në Shqipëri, aktiviteti realizohet në bashkëpunim me kompanitë Redcloud dhe Live Label.

Me interesin e jashtëzakonshëm të publikut vendas dhe të huaj, koncerti i Kanye West pritet të shndërrohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore dhe turistike të vitit, duke e vendosur Tiranën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.