Arsenali po intensifikon përpjekjet për të siguruar shërbimet e Morgan Rogers, me mesfushorin ofensiv të Aston Villas që është kthyer në objektivin kryesor të “Topçinjve” për këtë merkato.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, drejtuesit e klubit londinez kanë përshpejtuar negociatat për 23-vjeçarin, ndërsa bisedimet me përfaqësuesit e futbollistit kanë hyrë në një fazë të avancuar.
Rogers ka edhe pesë vite kontratë me Aston Villan, ndërsa klubi i drejtuar nga Unai Emery nuk është i gatshëm të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Sezonin e kaluar, reprezentuesi anglez ishte protagonist me 14 gola dhe 12 asistime, duke ndihmuar Aston Villan të triumfojë në Ligën e Evropës dhe të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, Arsenali është pranë finalizimit edhe të transferimit të anësorit Christos Tzolis nga Club Brugge, në një marrëveshje që, sipas raportimeve, kap vlerën e rreth 40 milionë eurove.
Rogers është kthyer në një nga emrat më tërheqës të futbollit anglez falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera dhe aftësisë për të shënuar gola spektakolarë nga distanca.
Pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme rreth së ardhmes së tij, futbollisti ka deklaruar më herët se nuk lejon që zërat e merkatos të ndikojnë në përqendrimin e tij, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë javëve në vijim.










