Pep Guardiola ka reaguar për herë të parë ndaj zërave që e kanë lidhur me një kalim në stolin e Italisë, duke bërë të qartë se aktualisht nuk ka plane për t’u rikthyer në drejtimin e një skuadre.
Trajneri spanjoll, i cili u nda nga Manchester City pas një periudhe të gjatë dhe të suksesshme në krye të klubit anglez, ka bërë të ditur se dëshiron të marrë një pushim nga futbolli dhe të përqendrohet në jetën personale.
“Fillova të stërvit në moshën 37-vjeçare dhe gjithçka në jetën time ka qenë e lidhur me futbollin. Tani dua të zbuloj jetën dhe të bëj gjëra që nuk kanë lidhje me këtë sport”, deklaroi Guardiola.
Ai pranoi se e dashuron profesionin e trajnerit, por mendon se ka ardhur momenti për të ndaluar përkohësisht.
“Një ditë mund të zgjohem dhe të them se dua të rikthehem. Por më duhet të ndiej se më mungon kjo. Aktualisht nuk e ndiej”, shtoi tekniku spanjoll.
Guardiola theksoi se prioriteti i tij tani është familja, veçanërisht fëmijët dhe babai i tij 95-vjeçar.
“Nuk jam më i ri, jam 56 vjeç dhe mënyra si e shikon jetën ndryshon. Po përpiqem të kuptoj këtë kapitull të ri dhe deri tani gjithçka po shkon mirë”, u shpreh ai.
Deklaratat e Guardiolës duket se i japin fund, të paktën për momentin, spekulimeve për një aventurë të mundshme në krye të kombëtares italiane.









