Tragjedia në Kavajë/ Zbardhen detaje tronditëse – Kryeplaku vrau vëllanë pas sherrit për rrugën në arë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që tronditi mbrëmjen e së mërkurës fshatin Agonas të Kavajës, ku një konflikt mes dy vëllezërve përfundoi në mënyrë tragjike me humbjen e jetës së një 74-vjeçari.

Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, viktima kishte shkuar në arë për të transportuar me zetor dengjet e barit të mbledhura për blegtorinë. Pasi kishte përfunduar ngarkimin, gjatë kthimit është përballur me vëllanë e tij më të madh, 76-vjeçarin M. Rr., i cili ushtronte edhe detyrën e kryeplakut të fshatit.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se mes dy vëllezërve ka nisur një debat verbal lidhur me kalimin në një segment rruge pranë tokave bujqësore. Mësohet se 76-vjeçari i ka kërkuar vëllait të mos kalonte në atë rrugë, ndërsa situata është tensionuar më tej kur viktima dyshohet se e ka shtyrë me zetor.

Konflikti ka degraduar brenda pak çastesh. Sipas të dhënave paraprake, autori ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur vëllanë e tij disa herë, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Pas sulmit, 74-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Burimet hetimore bëjnë të ditur se pas ngjarjes autori ka shfaqur shenja pendese për aktin e kryer, ndërsa është vënë menjëherë në prangat e policisë.

Krimi ndodhi rreth orës 20:30 në një zonë bujqësore të fshatit Agonas, ku të dy vëllezërit ndodheshin duke siguruar bazën ushqimore për bagëtitë.

Policia dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, ndërsa po merren dëshmi dhe prova të tjera për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan në konfliktin fatal mes dy vëllezërve.