Një incident i rëndë është regjistruar në Akademinë e Sigurisë në Sauk, ku rreth 30 kursantë kanë përfunduar në spital pasi shfaqën simptoma të forta të dyshuara si pasojë e helmimit ushqimor.
Sipas informacionit paraprak, kursantët kanë nisur të ndihen keq gjatë mbrëmjes, duke shfaqur probleme shëndetësore si të vjella, diarre, temperaturë të lartë dhe dhimbje koke. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ata janë transportuar në grupe drejt qendrave spitalore, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Dyshimet e para të hetuesve lidhen me ushqimin e konsumuar në ambientet e Akademisë, i cili furnizohet nga kompania e kateringut Sori-Al. Autoritetet po verifikojnë nëse produktet ushqimore kanë qenë burimi i problemit dhe nëse janë respektuar standardet e sigurisë ushqimore.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të forta, pasi nuk është hera e parë që raportohen raste të ngjashme në këtë institucion. Vetëm pak muaj më parë, Akademia e Sigurisë u përball me një episod tjetër të dyshuar helmimi ushqimor, duke shtuar pikëpyetjet mbi kushtet e furnizimit dhe kontrollit të ushqimit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar shkakun e saktë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë eventuale.
Autoritetet pritet të publikojnë rezultatet e analizave laboratorike në vijim, ndërsa gjendja e kursantëve raportohet jashtë rrezikut për jetën.









