Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, duke paralajmëruar se pasojat njerëzore mund të jenë shumë të rënda dhe duke premtuar mbështetje amerikane për përballimin e emergjencës.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Truth Social, kreu i Shtëpisë së Bardhë i cilësoi lëkundjet sizmike si një katastrofë të përmasave të mëdha, ndërsa shprehu shqetësim për raportimet e para që vijnë nga zonat e prekura.
“Tërmetet kanë qenë masive në përmasa dhe raportet fillestare flasin për një numër shkatërrues viktimash”, deklaroi Trump, duke theksuar se administrata amerikane po ndjek nga afër zhvillimet në terren.
Presidenti amerikan bëri të ditur se ka urdhëruar institucionet federale dhe strukturat përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave të përgatiten për një reagim të menjëhershëm në rast se autoritetet venezueliane kërkojnë ndihmë ndërkombëtare.
“SHBA është e gatshme, e vendosur dhe plotësisht e aftë për të ndihmuar. Ne do të qëndrojmë pranë miqve tanë në këtë moment të vështirë”, shkroi ai.
Deklarata e Trump vjen ndërsa ekipet e shpëtimit dhe emergjencave vazhdojnë operacionet në zonat më të prekura nga tërmetet, ku raportohen dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe ndërtesa.
Megjithëse shqetësimet për një bilanc të rëndë janë të mëdha, deri tani autoritetet venezueliane nuk kanë publikuar shifra zyrtare mbi numrin e viktimave, të plagosurve apo personave të zhdukur.
Shërbimet e emergjencës vijojnë vlerësimin e situatës në terren, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet pas një prej fatkeqësive natyrore më të rënda që ka goditur Venezuelën në vitet e fundit.









