Tensione dhe kaos në Aeroportin e Vlorës/ Kamionët bllokojnë kantierin – Përplasje mes palëve për kontrollin e punimeve

Situata në kantierin e Aeroportit të Vlorës është tensionuar sërish mëngjesin e kësaj të marte, pasi në hyrjen kryesore të objektit janë regjistruar përplasje dhe bllokime që kanë penguar vijimin normal të punimeve.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, dy kamionë të kompanisë “2A Group” janë vendosur përpara portës kryesore të kantierit, duke bllokuar hyrjen dhe duke mos lejuar futjen e punonjësve dhe nënkontraktorëve të angazhuar nga kompania “MABCO”, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli.

Burime pranë kantierit bëjnë me dije se qëllimi i bllokimit ka qenë ndalimi i vazhdimit të punimeve nga grupet e kontraktuara prej “MABCO”-s. Për pasojë, në zonë janë krijuar tensione mes përfaqësuesve dhe punonjësve të kompanive të përfshira në projekt.

Pavarësisht pengesave, një pjesë e nënkontraktorëve të “MABCO”-s kanë arritur të futen në ambientet e kantierit, duke kaluar me forcë përmes hyrjes. Megjithatë, situata është përshkallëzuar sërish menjëherë pas kësaj, pasi porta është mbyllur dhe vazhdon të mbahet e bllokuar nga mjetet e rënda të vendosura në hyrje.

Ngjarja është episodi më i fundit i konfliktit që prej javësh po zhvillohet mes kompanisë “MABCO” dhe “2A Group”, një mosmarrëveshje që lidhet me administrimin e kantierit, organizimin e punimeve dhe vijimin e projektit për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Përplasjet e përsëritura kanë ngritur shqetësime për ecurinë e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund konfliktit që po pengon ritmin normal të punimeve.