Evropa në alarm nga i nxehti afrikan – raportohen 18 viktima në Francë; temperaturat thyejnë rekordet historike

Një valë ekstreme e të nxehtit afrikan ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës, duke shkaktuar viktima, mbyllje shkollash dhe temperatura rekord në disa vende të kontinentit. Në Francë, autoritetet kanë konfirmuar të paktën 18 viktima si pasojë e kushteve të motit, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet në ditët në vijim.

Mes viktimave janë edhe dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjeç, të cilët humbën jetën pasi mbetën brenda një automjeti të ekspozuar ndaj temperaturave të larta. Fëmijët u gjetën pa ndjenja nga nëna e tyre pranë banesës familjare në qytetin Carpentras, në juglindje të Francës, ndërsa ekipet e emergjencës nuk arritën t’i rikthenin në jetë.

Temperaturat kanë arritur nivele rekord në disa qytete franceze. Në Bordo termometri shënoi 41.9 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur vitin e kaluar, ndërsa në Poitiers temperatura arriti në 41.2 gradë Celsius, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 1947.

Pasojat e valës së të nxehtit janë ndjerë edhe në brigjet franceze. Autoritetet raportuan 13 raste mbytjeje brenda vetëm dy ditësh, ndërsa qytetarët kërkonin mënyra për t’u freskuar në dete dhe lumenj. Shërbimet e sigurisë civile u kanë bërë thirrje qytetarëve të lahen vetëm në zona të monitoruara.

Situata mbetet shqetësuese edhe në Spanjë. Në qytetin verior të San Sebastianit, i njohur zakonisht për klimën e freskët, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, më shumë se dyfishi i mesatares historike për këtë periudhë të vitit.

Sipas ekspertëve të klimës, fenomeni lidhet me të ashtuquajturin “Blloku Omega”, një konfigurim atmosferik që krijon një masë të madhe ajri të nxehtë mbi Evropë. Ky sistem po tërheq ajër të nxehtë nga shkretëtira e Saharasë drejt kontinentit, ndërsa lëviz shumë ngadalë, duke bërë që temperaturat ekstreme të zgjasin për disa ditë.

Një raport i fundit i Organizatës Botërore Meteorologjike paralajmëron se Evropa po ngrohet me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se mesatarja globale. Sipas specialistëve, ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta, më intensive dhe më të rrezikshme, duke rritur gjithashtu rrezikun e stuhive, zjarreve dhe emergjencave shëndetësore në të gjithë kontinentin.