Një nga operacionet më të mëdha të viteve të fundit ka çuar në goditjen e një organizate të fuqishme kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave, me në krye Salvador alias Shpëtim Aliun, një emër pak i njohur publikisht, por që sipas hetimeve të SPAK konsiderohet furnizues i rrjeteve kryesore kriminale shqiptare.
Me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), janë lëshuar 10 masa arresti. Deri më tani është vënë në pranga vetëm Florjan Musaj, ndërsa 9 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre edhe Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika, emra të njohur të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi ka operuar nga viti 2019 deri në vitin 2021 në disa shtete të Amerikës Latine dhe Europës, përfshirë Brazilin, Belgjikën dhe Holandën. Dyshohet se organizata ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa në pesë episode të dokumentuara janë sekuestruar afro 9 tonë drogë.
Hetuesit kanë zbuluar se fitimet e përfituara nga trafiku i kokainës silleshin në Shqipëri jashtë sistemit bankar dhe investoheshin në pasuri të paluajtshme, kompani ndërtimi, hoteleri dhe aktivitete të tjera tregtare për të fshehur origjinën kriminale të tyre.
Si pjesë e operacionit, GJKKO ka urdhëruar sekuestron preventive të 491 pasurive të paluajtshme me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro. Mes tyre janë toka, apartamente, vila, resorte turistike dhe hotele luksoze të shtrira nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani, deri në Lezhë, Shkodër, Dhërmi, Jalë dhe Sarandë.
Ndër pronat më të rëndësishme të sekuestruara janë 121 njësi në kompleksin turistik “Lalzi Marina Seaside” në Hamallaj, si dhe hoteli luksoz “Zig Zag” në Jalë. Në listë përfshihet edhe “Hotel Elisa Tirana”, pjesë e një marke të njohur ndërkombëtare të hotelerisë.
Sipas SPAK, në skemën e pastrimit të parave janë përfshirë edhe disa kompani, mes tyre “Aliu Road House”, “Green Invest”, “Seavieu Development” dhe “A.R.H Security”, të lidhura me persona të afërt të drejtuesit të dyshuar të organizatës.









