Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton shkarkimin e disa prej zyrtarëve më të lartë të administratës së tij, pas mosmarrëveshjeve të brendshme lidhur me marrëveshjen e fundit me Iranin.
Sipas raportimeve të medias izraelite Israel Hayom, në qendër të vëmendjes janë Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, të cilët dyshohet se kanë kundërshtuar qasjen e Shtëpisë së Bardhë ndaj Teheranit dhe kanë shprehur rezerva për besueshmërinë e Iranit në zbatimin e angazhimeve të marra.
Burime të cituara nga mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se brenda administratës amerikane ka pasur debate të forta mbi memorandum-in e mirëkuptimit me Iranin. Sipas tyre, Ratcliffe, Hegseth dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio kanë ngritur shqetësime për rreziqet që mund të sjellë marrëveshja.
Në krahun mbështetës të marrëveshjes janë pozicionuar Zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët argumentojnë se diplomacia mbetet rruga më efektive për të shmangur një përshkallëzim të ri të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Një zyrtar i lartë amerikan, i cituar nga Israel Hayom, ka deklaruar se “debati është mbyllur”, duke lënë të kuptohet se kundërshtarët e marrëveshjes mund të përballen me pasoja politike.
Megjithatë, deri tani Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar zyrtarisht ndonjë vendim për shkarkime, ndërsa raportimet nxjerrin në pah tensionet që vijojnë të shoqërojnë administratën Trump pas arritjes së marrëveshjes me Iranin.









