Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e së martës në aksin “100 Vjetori” Vlorë–Panaja, pranë rrethrrotullimit të Panajas, ku janë përfshirë dy mjete.
Sipas informacioneve paraprake, nga përplasja ka mbetur i lënduar drejtuesi i një motori, i cili është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se i plagosuri ka pësuar dëmtime të lehta, ndërsa pritet një vlerësim zyrtar nga mjekët për gjendjen e tij shëndetësore.
Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident i janë nënshtruar testit të alkoolit, por rezultatet kanë qenë negative.
Policia ka nisur hetimet dhe po kryen veprimet procedurale për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.









