Në protestën e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, mori pjesë edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e cila shprehu mbështetjen e saj për qytetarët që kundërshtojnë projektet që, sipas tyre, dëmtojnë mjedisin dhe favorizojnë interesa private.
Gjatë fjalës së saj, eurodeputetja vlerësoi angazhimin e protestuesve dhe theksoi se zëri i tyre do të përcillet edhe në institucionet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar mbrojtjen e natyrës si një kauzë të përbashkët europiane.
Paulus u shpreh se natyra shqiptare është një pasuri e jashtëzakonshme që duhet ruajtur, ndërsa kritikoi ashpër atë që e cilësoi si presion të interesave të fuqishme ekonomike. Ajo deklaroi se protestuesit po luftojnë për të drejtat e tyre dhe për një zhvillim të drejtë, në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian.
Një moment që tërhoqi vëmendje të madhe ishte deklarata e saj lidhur me proceset në Parlamentin Evropian, ku eurodeputetja pretendoi se kishte marrë një email nga kryeministri Edi Rama, në të cilin i kërkohej të mos votonte një amendament për çështjet mjedisore. Sipas saj, pavarësisht kësaj kërkese, amendamenti është miratuar në përputhje me ligjet evropiane dhe interesin publik.
Paulus theksoi se Shqipëria nuk mund të trajtohet si një vend “në shitje” dhe se vendimmarrja duhet të mbrojë qytetarët dhe mjedisin, jo interesa private. Ajo shtoi se rruga e integrimit europian kërkon respektim të plotë të ligjit dhe forcim të institucioneve demokratike.
Në përfundim të fjalës së saj, eurodeputetja u bëri thirrje protestuesve të vazhdojnë qëndresën, duke premtuar se zëri i tyre do të mbështetet në Bruksel dhe se çështjet e ngritura do të adresohen në nivel evropian.









