Protestuesit që prej disa javësh mblidhen para godinës së Kryeministrisë kanë njoftuar një nismë të re, të cilën e cilësojnë si hapin e parë drejt krijimit të një strukture alternative përfaqësuese të qytetarëve. Sipas tyre, do të ngrihet një Kuvend Qytetar, i përbërë nga rreth 500 deri në 600 anëtarë, me synimin për të përfaqësuar zërin e qytetarëve jashtë sistemit politik aktual.
Lajmi u bë i ditur nga aktivisti Ilir Xhemalaj, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë për emisionin “Off the Record” në A2 CNN. Ai deklaroi se nisma vjen si reagim ndaj bindjes së protestuesve se Kuvendi aktual nuk përfaqëson më interesat e qytetarëve dhe se asnjë prej deputetëve nuk gëzon besimin e tyre.
Sipas Xhemalajt, Kuvendi Qytetar do të përbëhet nga përfaqësues të grupeve dhe lëvizjeve qytetare që janë bërë pjesë e protestave, ndërsa nuk do të ketë karakter partiak apo elektoral. Ai theksoi se qëllimi nuk është krijimi i një force të re politike, por ngritja e një forumi qytetar, ku do të diskutohen ide dhe do të hartohet platforma për atë që organizatorët e quajnë “Shqipëria e Re”.
Aktivisti bëri të ditur se përzgjedhja e anëtarëve do të bazohet në disa kritere të qarta. Sipas tij, pjesë e këtij Kuvendi nuk do të mund të bëhen persona që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveri apo opozitë, si edhe individë të përfshirë në afera korrupsioni, tendera publikë apo çështje që cenojnë integritetin e tyre.
Xhemalaj nënvizoi se protestuesit e konsiderojnë Kuvendin e Shqipërisë si një institucion të delegjitimuar politikisht dhe për këtë arsye synojnë të ndërtojnë një mekanizëm të ri përfaqësimi qytetar. Ai shtoi se në këtë nismë nuk do të përfshihen as deputetë të partive të reja, pasi ideja është që struktura të mbetet plotësisht e pavarur nga politika tradicionale.
Sipas organizatorëve, Kuvendi Qytetar synon të shërbejë si një hapësirë diskutimi dhe vendimmarrjeje për çështje me interes publik, duke përfaqësuar qytetarët që, sipas tyre, nuk ndihen më të përfaqësuar nga institucionet aktuale.









