SHBA dhe Teherani shkëmbejnë sulme për ditën e dytë – Trump paralajmëron Iranin: Do të paguajnë çmimin

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer sulme ajrore për të dytën ditë radhazi, duke shënuar një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes dy vendeve, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje duket se kanë ngecur.

Sipas mediave iraniane, disa shpërthime janë regjistruar në jug të vendit, pranë Ngushticës së Hormuzit. Raportohet se shpërthime janë dëgjuar në zonat e Bandar Abbasit, Qeshmit dhe Minabit, ndërsa burime lokale kanë bërë të ditur se objektiva në Kargan dhe Sirik janë goditur nga ato që janë cilësuar si “predha armike”.

Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi se ka përfunduar operacionet kundër objektivave iraniane, duke deklaruar se sulmet kishin në shënjestër kapacitetet e mbikëqyrjes ushtarake, sistemet e komunikimit dhe pozicionet e mbrojtjes ajrore të Iranit.

Në një deklaratë zyrtare, CENTCOM theksoi se forcat amerikane përdorën municione precize kundër objektivave që, sipas saj, përbënin kërcënim për personelin ushtarak amerikan dhe për anijet tregtare ndërkombëtare që lundrojnë në rajon.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj Teheranit. Ai akuzoi udhëheqjen iraniane se po zvarrit negociatat dhe deklaroi se Irani “do të duhet të paguajë çmimin” nëse nuk pranon kushtet për një marrëveshje.

Trump ka kërkuar vazhdimisht që Irani të nënshkruajë një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit, ndërsa më herët gjatë javës kishte shprehur optimizëm se një marrëveshje mund të arrihej brenda pak ditësh. Megjithatë, zhvillimet e fundit ushtarake tregojnë se rruga drejt një zgjidhjeje diplomatike mbetet e vështirë dhe e pasigurt.