Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për shkak të mungesës së tij dhe të disa avokatëve mbrojtës, duke bërë të pamundur vijimin e procesit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Veliaj nuk u paraqit në sallën e gjyqit, por përmes një shkrese drejtuar trupit gjykues njoftoi se kishte vendosur të mos merrte pjesë në seancë. Në argumentimin e tij, ai kundërshtoi mënyrën e paraqitjes së të paraburgosurve në sallë, duke deklaruar se mbajtja në kafazin e sigurisë është e pahijshme, jodinjitoze dhe, sipas tij, në kundërshtim me parimet kushtetuese.
Për këtë arsye, Veliaj kërkoi të përfaqësohej nga avokati i tij, Plarent Ndreca, pa qenë fizikisht i pranishëm në seancë.
Gjatë shqyrtimit paraprak, gjykata konstatoi gjithashtu mungesën e dy avokatëve mbrojtës të të pandehurve të tjerë në proces, çka e bëri të pamundur zhvillimin normal të seancës. Në këto kushte, trupa gjykuese vendosi shtyrjen e shqyrtimit dhe zgjatjen e afateve të masës së sigurisë për Veliajn.
Një tjetër çështje e diskutuar në seancë ishte kërkesa e mbrojtjes lidhur me dokumentacionin hetimor. Avokati Ndreca pretendoi se nuk i ishin vënë në dispozicion 24 fashikuj të dosjes. Gjykata sqaroi se dokumentet në fjalë lidhen me procedurat e njoftimit të akuzave për të pandehur të tjerë dhe se, deri në këtë fazë, e drejta e mbrojtjes së Veliajt nuk është cenuar. Megjithatë, trupi gjykues vendosi që fashikujt e kërkuar t’i vihen në dispozicion mbrojtjes.
Seanca e ardhshme është caktuar të zhvillohet më 16 qershor.
Erion Veliaj është një nga 19 personat e marrë të pandehur në këtë proces penal, ku përfshihet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, kryebashkiaku akuzohet për disa vepra penale, mes tyre korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.









