Një sulm i rëndë me thikë në Belfast ka shkaktuar zemërim dhe tensione të forta në Northern Ireland, duke nxitur protesta anti-emigracion që janë përhapur edhe në qytete të tjera të Mbretërisë së Bashkuar.
Ngjarja ndodhi pasi një azilkërkues nga Sudani dyshohet se sulmoi me thikë një 40-vjeçar britanik, duke i shkaktuar plagë të rënda. Sipas raportimeve, agresori vijoi ta godiste viktimën edhe pasi ajo kishte rënë në tokë, derisa kalimtarët ndërhynë për ta neutralizuar dhe për ta mbajtur nën kontroll deri në mbërritjen e policisë.
Pamjet e incidentit, të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale, shkaktuan reagime të shumta dhe u kthyen në katalizator të protestave që shpërthyen në Belfast dhe më pas në disa qytete të tjera britanike.
Autoritetet konfirmuan se i dyshuari është vënë nën akuzë për tentativë vrasjeje. Megjithatë, arrestimi i tij nuk mjaftoi për të qetësuar situatën, pasi dhjetëra protestues dolën në rrugë duke kërkuar masa më të ashpra ndaj emigracionit të paligjshëm dhe politikave të azilit.
Protestat u shoqëruan me përplasje me forcat e rendit, djegie automjetesh, bllokime rrugësh dhe incidente pranë objekteve ku strehohen emigrantë. Tensionet u raportuan jo vetëm në Belfast, por edhe në Glasgow, Edinburgh dhe Southampton.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, dënoi ashpër dhunën, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe duke paralajmëruar se autorët e trazirave do të përballen me ligjin.
Nga ana tjetër, lideri i partisë Reform UK, Nigel Farage, kërkoi transparencë të plotë mbi identitetin dhe historikun e autorit të sulmit, duke akuzuar qeverinë për mungesë informacioni ndaj publikut.
Shefi i policisë së Irlandës së Veriut, Jon Boutcher, bëri të ditur se i dyshuari kishte kaluar përmes Somalisë dhe Francës përpara se të mbërrinte në Irlandë dhe më pas në Belfast, ku kishte kërkuar azil dhe kishte përfituar status ligjor qëndrimi.
Ngjarja ka rihapur debatin e nxehtë mbi politikat britanike të emigracionit dhe sigurisë. Ajo vjen në një periudhë kur çështja e emigracionit është kthyer në një nga temat më të diskutuara në jetën politike britanike, ndërsa partitë populiste po shtojnë presionin ndaj qeverisë për kontrolle më të forta kufitare dhe procedura më të rrepta azili.









