Policia ka publikuar informacionin zyrtar në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur paraditen e së dielës në aksin rrugor Pogradec–Qafë Thanë, ku humbi jetën një e re 26-vjeçare.
Sipas njoftimit, automjeti që drejtohej nga shtetasi G. H., banues në Korçë, është përplasur me një mjet me targa të huaja, në drejtimin e shtetasit E. LL., banues në Maqedoninë e Veriut.
Si pasojë e përplasjes fatale, ka ndërruar jetë pasagjerja e automjetit me targa të huaja, Elmedina Lloga, 26 vjeçe, banuese në fshatin Livadhi të Strugës. Ndërkohë, të dy drejtuesit e mjeteve, si dhe dy pasagjerë të tjerë që ndodheshin në automjete, kanë mbetur të lënduar.
Policia bën me dije se katër personat e plagosur po marrin ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit tragjik.









