Trump feston 80-vjetorin me UFC në Shtëpinë e Bardhë – Spektakël i paprecedentë në SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po feston 80-vjetorin e lindjes me një ngjarje të pazakontë që po tërheq vëmendjen e mbarë opinionit publik amerikan. Për herë të parë në histori, lëndina jugore e White House do të shndërrohet në një arenë për ndeshje të UFC-së, në një spektakël që konsiderohet i paprecedentë për selinë presidenciale amerikane.

Aktiviteti, i cili do të përfshijë shtatë përballje të arteve marciale të përziera, organizohet në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së. Presidenti Trump e ka cilësuar ngjarjen si një mënyrë unike për të bashkuar festimet kombëtare me argëtimin sportiv.

Kreu i UFC-së, Dana White, i njohur për miqësinë e tij të ngushtë me Trumpin, e përshkroi eventin si një moment historik. Sipas tij, bëhet fjalë për një aktivitet të veçantë që nuk ka precedent në historinë moderne amerikane.

Kontrasti me paraardhësin e Trumpit është i dukshëm. Kur Joe Biden mbushi 80 vjeç në vitin 2022, ai zgjodhi një festë private familjare në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa Trump po e shënon këtë përvjetor me një aktivitet sportiv madhështor që pritet të ndiqet nga miliona amerikanë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Allison Schuster, deklaroi se mbrëmja pritet të jetë “një nga netët më argëtuese në historinë amerikane”, duke theksuar rëndësinë simbolike dhe mediatike të eventit.

Ndërkohë, Trump mbetet presidenti më i moshuar i zgjedhur në historinë e SHBA-së, duke kaluar rekordin e Bidenit. Megjithatë, Kushtetuta amerikane nuk i lejon atij të kandidojë për një mandat tjetër presidencial.

Sipas njoftimeve zyrtare, UFC do të mbulojë kostot e organizimit të eventit. Megjithatë, dokumente të depozituara nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare tregojnë se përgatitjet kanë kërkuar mbi 60 milionë dollarë shpenzime operative, dhjetëra mijëra orë pune dhe angazhimin e shtatë agjencive federale, duke e bërë këtë një nga aktivitetet më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.