Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zhvilluar një telefonatë urgjente me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pas sulmeve të fundit të ushtrisë izraelite në Liban, duke i kërkuar ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake që rrezikojnë të tensionojnë më tej situatën në rajon.
Sipas raportimeve, biseda mes dy liderëve është zhvilluar me tone të ashpra. Trump thuhet se i është drejtuar Netanyahut me fjalët: “Çfarë dreqin po bën?”, duke shprehur pakënaqësi të thellë për sulmet e kryera në territorin libanez dhe pasojat që ato mund të kenë në përpjekjet diplomatike të Uashingtonit.
Burime pranë zhvillimeve bëjnë me dije se presidenti amerikan e ka paralajmëruar kryeministrin izraelit se vazhdimi i bombardimeve mund të rrezikojë një marrëveshje të rëndësishme që po negociohet mes SHBA-së dhe Iranit, e cila synon uljen e tensioneve dhe shmangien e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Trump thuhet se ka bërë të qartë se administrata amerikane po punon për të parandaluar një reagim ushtarak nga Teherani dhe se do t’i kërkojë Iranit të mos kundërpërgjigjet me sulme raketore ndaj Izraelit apo aleatëve të SHBA-së në rajon.
Në deklaratat e raportuara pas telefonatës, presidenti amerikan ka shprehur gjithashtu zhgënjim ndaj mënyrës se si po vepron qeveria izraelite. “Netanyahu nuk ka aspak gjykim të mirë. Ia kam thënë këtë drejtpërdrejt dhe i kam bërë të qartë se jam shumë i pakënaqur me sulmin në Bejrut”, mësohet të ketë deklaruar Trump.
Ndërkohë, Uashingtoni ka shtuar presionin diplomatik ndaj Izraelit me mesazhin se veprimet ushtarake në Liban nuk duhet të minojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje rajonale. Mesazhi kryesor i administratës amerikane ka qenë: “Mos e prishni punën në momentin e fundit”.
Nga ana tjetër, Irani ka kërkuar që Izraeli të ndalojë operacionet në Liban si kusht për avancimin e marrëveshjes me SHBA-në, ndërsa Trump është shprehur optimist se një ujdi mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të finalizohet brenda pak orësh.
Zhvillimet e fundit tregojnë se situata në Lindjen e Mesme mbetet jashtëzakonisht delikate, ndërsa diplomacia amerikane po përpiqet të shmangë një përshkallëzim të ri ushtarak që mund të rrezikojë të gjithë rajonin.









