Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka reaguar ashpër pas sulmit të fundit me raketa të ndërmarrë nga Irani ndaj territorit izraelit, duke i bërë thirrje Teheranit të rikthehet menjëherë në tryezën e negociatave dhe të ndalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Në një prononcim për rrjetin amerikan Fox News, Trump e ka cilësuar situatën si të papranueshme dhe ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve, duke theksuar se procesi diplomatik ishte pranë një marrëveshjeje.
Sipas tij, palët kishin qenë shumë pranë një dakordësimi për të ulur tensionet, por zhvillimet e fundit ushtarake kanë vënë në rrezik gjithë procesin.
“I keni lëshuar raketat tuaja. Kaq mjafton. Kthehuni në tryezën e negociatave dhe arrini një marrëveshje. Do të kisha thënë se marrëveshja do të nënshkruhej të hënën, të martën ose të mërkurën, dhe tani ndodh kjo”, deklaroi Trump.
Ai shtoi gjithashtu se forcat amerikane ndodhen në gjendje të lartë gatishmërie, duke sinjalizuar monitorim të vazhdueshëm të situatës në Lindjen e Mesme, në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe Izraelit po përshkallëzohen me shpejtësi.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment delikat për stabilitetin rajonal, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po shton thirrjet për vetëpërmbajtje dhe rikthim në dialog për të shmangur zgjerimin e konfliktit.









