Kosova drejt rezultatit final/ Vetëvendosje kryeson bindshëm – Ja si votuan 7 komunat më të mëdha të vendit

Procesi i numërimit të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po shkon drejt përfundimit, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike rezultatet paraprake pas numërimit të 99.44% të votave.

Sipas të dhënave zyrtare, janë numëruar 2.484 nga gjithsej 2.498 kuti votimi, duke dhënë një panoramë pothuajse të plotë të rezultatit zgjedhor. Në krye të garës renditet Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka siguruar deri tani 297.296 vota, ose 42.92% të totalit.

Forca e dytë politike rezulton Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 145.856 vota ose 21.06%, ndërsa në vendin e tretë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me 121.976 vota ose 17.61%.

Më pas vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka marrë 49.705 vota, që përkthehen në 7.18% të totalit. Lista Serbe ka siguruar 42.761 vota ose 6.17%.

Rezultatet tregojnë se Vetëvendosje ka ruajtur epërsinë në shumicën e qendrave të mëdha urbane të Kosovës.

Në Gjakovë, LVV kryeson me 48.72% të votave, ndërsa pas saj renditen AAK me 27.49%, LDK me 12.38% dhe PDK me 6.97%.

Në Gjilan, Vetëvendosje ka marrë 54.18% të votave, duke lënë pas LDK-në me 22.04%, PDK-në me 14.91% dhe AAK-në me 3.22%.

Rezultat edhe më të thellë ka regjistruar LVV në Mitrovicë, ku ka siguruar 60.53% të votave. PDK renditet e dyta me 26.02%, ndërsa LDK ka marrë 9.14% dhe AAK 1.78%.

Në Pejë, Vetëvendosje kryeson me 42.73%, e ndjekur nga LDK me 25.82%, AAK me 15.17% dhe PDK me 8.82%.

Edhe në kryeqytetin Prishtinë, LVV ka dalë forcë e parë me 48.90% të votave. LDK ka siguruar 24.44%, PDK 19.05% dhe AAK 5.13%.

Në Prizren, Vetëvendosje ka marrë 44.07% të votave, ndërsa PDK renditet e dyta me 22.12%, e ndjekur nga LDK me 12.51% dhe AAK me 3.05%.

Ndërkohë, në Ferizaj, LVV ka regjistruar 53.81% të votave, duke lënë pas PDK-në me 24.76%, LDK-në me 14.82% dhe AAK-në me 2.64%.

Rreth 2 milionë qytetarë kishin të drejtë vote në këto zgjedhje, të cilat u mbajtën pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Pavarësisht rëndësisë së procesit, pjesëmarrja në votime rezultoi relativisht e ulët, rreth 35%, ndërsa zgjedhjet u zhvilluan pa incidente të raportuara.