Kosova nuk do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, një zhvillim që ka ngjallur debat dhe reagime në Prishtinë. Pas interesimit të mediave, Aleanca Atlantike ka sqaruar zyrtarisht arsyet e mungesës së Kosovës, duke theksuar se programi i samitit është përqendruar te 32 shtetet anëtare dhe një numër i kufizuar partnerësh strategjikë.
Në një reagim për mediat, një zyrtar i NATO-s bëri të ditur se temat kryesore të samitit do të jenë forcimi i investimeve në mbrojtje, rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën. Sipas tij, këto prioritete do të dominojnë diskutimet mes liderëve të vendeve anëtare.
Aleanca rikujtoi edhe deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili ka theksuar se fokusi aktual mbetet zbatimi i angazhimeve të marra nga shtetet aleate, përmes rritjes së investimeve ushtarake, zgjerimit të prodhimit të industrisë së mbrojtjes dhe mbështetjes afatgjatë për Ukrainën.
Sipas NATO-s, në samit do të marrin pjesë 32 krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe disa partnerë të përzgjedhur, mes tyre Ukraina, Bashkimi Evropian, vendet e rajonit Indo-Paqësor dhe pjesëmarrësit e Iniciativës së Bashkëpunimit të Stambollit.
Megjithëse Kosova nuk është pjesë e listës së të ftuarve, Aleanca thekson se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi të veçantë strategjike dhe se angazhimi për stabilitetin dhe sigurinë në rajon nuk ka ndryshuar.
Në të njëjtën përgjigje, NATO nënvizoi se misioni i KFOR-it vazhdon të luajë një rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara. Aleanca theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian, do të vijojë dhe se nuk do të lejohet krijimi i asnjë vakumi sigurie në Ballkanin Perëndimor.
Sqarimi i NATO-s vjen pas reagimeve të shumta në Kosovë për mungesën e vendit në listën e pjesëmarrësve të Samitit të Ankarasë, ndërsa Aleanca rithekson se prioritetet e këtij takimi janë të përqendruara te çështjet e mbrojtjes kolektive dhe sigurisë euroatlantike.









