Horror në aksin Berat–Tiranë/ Furgoni del nga rruga, 2 viktima e 15 të plagosur, policia jep detajet e para

Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e kësaj të marte në aksin rrugor Berat–Tiranë, ku një furgon i transportit të udhëtarëve ka dalë nga rruga, duke shkaktuar dy viktima dhe 15 persona të plagosur.

Nga vendi i ngjarjes, drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, deklaroi se njoftimi për aksidentin është marrë rreth orës 15:00. Sipas të dhënave paraprake, mjeti fillimisht ka humbur kontrollin, është përplasur me trafikndarësen dhe më pas ka dalë nga rruga.

Si pasojë e përplasjes, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital. Sipas Vatocit, një prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa mes të lënduarve është edhe një fëmijë, gjendja shëndetësore e të cilit paraqitet serioze.

Drejtori i Policisë Rrugore bëri me dije se furgoni ishte i licencuar për linjën Berat–Tiranë dhe po udhëtonte drejt kryeqytetit në momentin e aksidentit. Ai theksoi se dyshimet e para flasin për humbje të kontrollit të mjetit, ndërsa shkaku i saktë do të përcaktohet nga hetimet.

Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për të dokumentuar rrethanat e aksidentit dhe për të zbardhur shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë, një nga më tragjiket e muajve të fundit në rrugët e vendit.