Pesë protestuesit e shoqëruar nga Policia e Shtetit pas përplasjeve të ndodhura gjatë protestës para Kuvendit janë lënë të lirë pas disa orësh qëndrimi në Komisariatin nr. 1. Sipas informacioneve të bëra publike, ndaj asnjërit prej tyre nuk është nisur procedim penal.
Mes personave të liruar ishte edhe aktivisti Dritan Goxhaj, i cili deklaroi se shoqërimi i tyre u bë me argumentin e kundërshtimit të punonjësve të policisë. Ai sqaroi se, pas verifikimeve, të pesë protestuesit janë liruar pa u ngritur asnjë akuzë penale.
Ndërkohë, njëri prej protestuesve ka përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ka pësuar dëmtime gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë në protestën e zhvilluar më herët.
Pas lirimit të protestuesve, organizatorët kanë konfirmuar se protesta e 31-të kombëtare do të zhvillohet sipas planit. Tubimi është parashikuar të nisë në orën 19:00 përpara godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mblidhen sërish qytetarë për të vijuar protestat e tyre.









