Franca është vendosur në alarm portokalli në 53 departamente për shkak të një vale të fortë të të nxehtit që po përfshin vendin, me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 40°C në disa zona.
Shërbimi meteorologjik “Météo-France” parashikon një rritje të ndjeshme të temperaturave, të cilat do të variojnë nga 34 deri në 36°C në pjesën perëndimore dhe verilindore të vendit, ndërsa në Rivierën Franceze dhe në Korsikë mund të arrijnë deri në 38°C. Në Paris dhe rajonin Île-de-France, termometri pritet të shënojë 36–37°C, duke iu afruar rekordeve për muajin qershor.
Sipas parashikimeve, vala e të nxehtit do të jetë e zgjatur dhe intensive, me një kulm të pritshëm gjatë ditëve të ardhshme, kur temperaturat mund të arrijnë deri në 40°C në disa rajone të Francës perëndimore dhe qendrore.
Për shkak të kushteve ekstreme, disa bashki kanë anuluar aktivitetet publike dhe kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht për të moshuarit dhe grupet e rrezikuara. Sipas ekspertëve, frekuenca dhe intensiteti i valëve të të nxehtit në Francë po rritet ndjeshëm vitet e fundit.
Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se, megjithëse të shtunën mund të ketë një lehtësim të përkohshëm në disa zona veriore, temperaturat do të rriten sërish të dielën dhe në fillim të javës së ardhshme.









